15:01 | 29/5/2024

Top News/ Policia, bastisje në Parlamentin Evropian /Dyshime për propagandë ruse, në fokus asistenti

Hetuesit belgë kryen kontrolle në shtëpinë dhe zyrat e një asistenti në Parlamentin Evropian të mërkurën, që sipas prokurorëve mund të ketë luajtur rol në përhapjen e propagandës ruse përpara zgjedhjeve për parlamentin e ri të BE-së. Hetuesit kontrolluan banesën e asistentit në Bruksel, si dhe zyrën e tij në Parlamentin Evropian, thanë prokurorët federalë, ndërsa autoritetet gjyqësore franceze kryen kontrolle në zyrën e tij në parlamentin evropian, në Strasburg. Prokurorët thanë se operacionet ishin pjesë e një hetimi për ndërhyrje të mundshme ruse, ku anëtarë të Parlamentit Evropian u afruan dhe paguheshin për të promovuar propagandën ruse përmes faqes së lajmeve Zëri i Evropës. “Ka të dhëna se punonjësi i Parlamentit Evropian në fjalë ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë cështje”, thanë prokurorët në një deklaratë. Prokurorët nuk përmendën emrin e punonjësit apo ligjvënësit për të cilin ai punon. Parlamenti Evropian tha se nuk mund të bëjë komente për një hetim në vazhdim. “Kur dhe nëse kërkohet, Parlamenti Evropian bashkëpunon plotësisht me autoritetet e zbatimit të ligjit për të ndihmuar rrjedhën e drejtësisë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Dhe në këtë kontekst u dha aksesi në një prej zyrave”, tha një zëdhënës. Votuesit në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur 720 ligjvënës në Parlamentin Evropian në datat 6 deri në 9 qershor. Grupet kryesore thonë se votuesit ka të ngjarë të bombardohen me gënjeshtra dhe dezinformata.

Më shumë ↓

Video të tjera