12:06 | 27/5/2024

Top News/ NATO vendos sot për Kosovën / Kërkohët statusi i vendit të asociuar, Serbia kundër

Asambleja Parlamentare e NATO-s, që është mbledhur në Sofie të Bullgarisë, vendos gjatë ditës për avancimin e statusit të Kosovës nga vend vëzhgues në vend anëtar të asociuar të kësaj organizate. Megjithë kundërshtimin e Serbisë çështja e avancimit të statusit të Kosovës në NATO, është futur në agjendën e organizatës. Zyrtarisht njoftohet se deputetët e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ndër të tjera “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asociuar”. “Sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor do të trajtohen, ashtu si edhe strategjitë për mbështetjen e partnerëve në rrezik dhe për rritjen e angazhimit me Jugun Global”, thuhet në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Që në mars të këtij viti Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka miratuar avancimin e statusit të Kosovës në aleancë, ndërsa sot votohet përfundimisht. Delegacioni i Parlamentit të Serbisë që kryesohet nga kryeparlamentarja serbe, Ana Bërnabic, përmes një letre kërkoi që Kosovës të mos i jepet statusi i anëtarit të asociuar. Edhe Instituti Ndërkombëtar për Siguri në Serbi i ka bërë thirrje Asamblesë së NATO-s që mos ta avancojë statusin e Kosovës në këtë organizatë, duke argumentuar se “do të ishte e dëmshme si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ashtu edhe për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”. “Nëntë anëtarët aktualë të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë nga vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht dhe dhënia e të njëjtit status Kuvendit të Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm”, thotë Instituti Ndërkombëtar për Siguri me seli në Serbi. Asambleja Parlamentare e NATO-s, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Asambleja Parlamentare e NATO-s, përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s. Aktualisht anëtare të asociuara në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, janë nëntë vende në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Më shumë ↓

Video të tjera