12:26 | 29/5/2024

Top News/ Izraeli vret sërish në Gaza / Humbasin jetën 37 persona në kampet me tenda të Rafahut

Bombardimet dhe sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 37 persona, shumica të strehuar në tenda, jashtë qytetit jugor të Gazës, Rafah, gjatë natës dhe të martën, thanë dëshmitarët, punëtonjësit e emergjencave dhe zyrtarët spitalorë. Sulmet u kryen në të njëjtën zonë ku ndodhën edhe sulmet ajrore që shkaktuan një zjarr vdekjeprurës ditë më parë në një kamp të të zhvendosurve palestinezë, raporton Associated Press. Zjarri në kamp nxiti zemërim ndërkombëtar, përfshirë edhe të disa prej aleatëve më të ngushtë të Izraelit, lidhur me zgjerimin e ofensivës ushtarake në Rafah. Ushtria izraelite sugjeroi se zjarri i së dielës në kampin me tenda u shkaktua nga shpërthimet dytësore, potencialisht nga armët e militantëve palestinezë. Ushtria izraelite tha se shkaku i zjarrit ende është duke hetuar, por zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, tha të martën se municionet izraelite që u përdorën, që ushtria tha se janë përdorur për të shënjestruar dy luftëtarë të Hamasi, ishin të vogla për të qenë burimi i zjarrit. Sulmi i Izraelit në Rafah, i nisur më 6 maj, shtyu më shumë se 1 milion persona të largoheshin nga qyteti, tha të martën agjencia e Kombeve të Bashkuara që ndihmon refugjatët palestinezë. Shumica e tyre janë zhvendosur disa herë për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, që nisi pothuajse tetë muaj më parë. Sulmet e ditëve të fundit kanë goditur zona në perëndim të Rafahut, ku ushtria izraelite nuk ka urdhëruar civilët që të evakuohen. Trupat tokësore izraelite dhe tanket janë duke operuar në lindje të Rafahut, në pjesët qendrore të qytetit dhe përgjatë kufirit Gaza-Egjipit. Sulmet e fundit në Rafah vijnë pasi javën e kaluar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin që të ndalë ofensivën në Rafah. Vendimi i GJND-së është pjesë e rastit të ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin se po kryen gjenocid kundër palestinezëve në Gazë.

Më shumë ↓

Video të tjera