11:34 | 30/5/2024

Top News/ Izraeli merr kontrollin e kufirit / Rrezik përplasjeje me Egjiptin, do shkatërrojë tunelet

Ushtria izraelite tha se ka marrë nën kontroll një korridor strategjik përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin me qëllim ndërprerjen e përdorimit të tuneleve të kontrabandës, ndërsa po tenton të shkatërrojë Hamasin në luftën që tani është në muajin e tetë. Marrja e kontrollit të Korridorit Filadelfi mund të ndërlikojë raportet e Izraelit me Egjiptin, pasi ky i fundit është ankuar për avancimet e Izraelit drejt kufirit të tij. Izraeli tha se në këtë korridor ka tunele përmes së cilave janë transportuar armë dhe mallra të tjera për Hamasin, pavarësisht një bllokade shumëvjeçare të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti. Izraeli po ashtu është shtyrë më thellë në qytetin e Rafahut, në jug të Gazës, ku qindra mijëra persona janë strehuar për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të enklavës. Në këtë qytet, ditët e fundit është intensifikuar dhuna, ndërsa janë vrarë dhjetëra palestinezë. Ushtria tha se brigada e pestë, që ka disa mijëra ushtarë, të martën iu bashkua trupave që operojnë në qytet. Egjipti tha se çdo rritje e numrit të trupave në zonën strategjike kufitare do të përbënte shkelje të Marrëveshjes së Paqes që Egjipti dhe Izraeli kanë arritur më 1979. Egjipti është ankuar po ashtu më herët se Izraeli ka marrë pikëkalimin kufitar në Rafah, që është pikëkalimi i vetëm mes Gazës dhe Egjiptit.

Më shumë ↓

Video të tjera