15:34 | 28/5/2024

Top Channel/ Borell, raport për Kosovën: Mbyllje e bankave në veri?!

Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borell është duke finalizuar raportin rreth hapave që ka marrë Kosova për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano pohoi se në këtë raport do të përfshihen edhe operacionet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e objekteve të Bankës serbe te Kursimeve, në veri të Kosovës. Operacioni policor atje rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të kësaj banke dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Gjatë këtij aksioni të cilësuar nga Prishtina zyrtare si masë për vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para. Vendet anëtare të BE-së, kanë kërkuar javë më parë që Borell të hartojë sa më parë një raport, për të kuptuar se çfarë ka bërë Kosova drejt përmbushjes së kushteve të cilat të lejojnë heqjen e masave tëe vendosura. Shumica e vendeve anëtare kanë propozuar që masat të hiqen tërësisht, ndërsa disa shtete kërkojnë largimin gradual të tyre. Përpara se të dalin me një vendim megujithatë, kanë kërkuar vlerësimin e Borrellit. Stano shpjegoi se masat u vendosën si pasojë e atyre që i quajti “veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme të Kosovës, të cilat sollën deri te përshkallëzimi i situatës. “Qëllimi ishte të motivoheshin autoritetet e Kosovës për të ndërmarrë hapa për shtensionim. Natyrisht, gjithçka që ka ndikim negativ në terren, dhe në përpjekjet për shtensionim, është duke u marrë parasysh dhe është duke u përfshirë në raport“, u shpreh Stano.

Më shumë ↓

Video të tjera