11:03 | 26/5/2024

Top Channel/Asambleja e NATO-s, thirrje aleatëve: Të shtojmë bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor!

Në dritën e një shtimi të përpjekjeve të fuqive autoritare për të zgjeruar ndikimin e tyre dhe për të sifuar rendin ndërkombëtar, ligjvënësit e asamblesë parlamentare të NATO-s i bënë thirrje aleatëve të NATO-s që të rrisin bashkëpunimin me partnerët demokratikë në Ballkanin Perëndimor dhe vendet e Paqësorit. Apeli u lëshua gjatë fillimit të punimeve tre ditore të Asamblesë Parlamentare të aleancës veri-atlantike në Sofje të Bullgarisë. “Moska e përdor ndikimin e saj jo vetëm për të formësuar politikën rajonale, por për të pasur ndikim më të gjerë edhe në Evropë”, thuhet në raportin për Ballkanin Perëndimor të hartuar nga Lord Mark Lancaster. Dokumenti thekson po ashtu se një nga objektivat kryesore të Rusisë ishte “të parandalojë integrimin euroatlantik të rajonit”. Në mënyrë të vecantë, Lord Mark Lancaster kërkon “ një angazhim të ripërtërirë të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe promovimin e dialogut midis entiteteve rivale, rritjen e bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë kibernetike me partnerët rajonalë dhe përforcimin e pranisë së forcave të NATO-s në Kosovë për të penguar çdo kërcënim për ripërtëritje të dhunës”. Këtë vit Asambleja Parlamentare pritet të votojë edhe për ndryshimin e statusit të Kosovës në këtë organizatë. Aktualisht parlamenti i Kosovës është anëtar vëzhgues i Asamblesë ndërsa synon të bëhet anëtarë i asociuar. Autoritetet në Prishtinë shpresojnë që Asambleja Parlamentare e NATO-s të votojë në favor të ngritjes së statusit të Kosovës në këtë organizatë, lëvizje kjo që po kundërshtohet me forcë nga Serbia, që përmes një letre u ka kërkuar vendeve anëtare të Asamblesë ta refuzojnë një gjë të tillë.

Më shumë ↓

Video të tjera