20:45 | 29/5/2024

Shkatërrohet pas dy vitesh, investimi 2 mln euro në Parkun e Kuçovës – Fiks Fare

Në vitin 2022 u përurua Parkut Industrial në Kuçovë, një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Kostoja, bashkë me projektimin, ndërtimin dhe mbikëqyrjen shkoi në mbi 2 milionë euro. Por, vetëm 2 vite më pas, një pjesë e mirë e investimit u shkatërrua. Pista e tartarit për vrap dhe disa pedonale u prishën. Disa ditë më parë, emisioni “Fiks Fare”, transmetoi një video, ku pjesa pedonale ishte me gropa. Copa të pjesëve të gomuara ishin hequr nga projekti. Fiks Fare shfletoi dokumentet e tenderit, ku projektimi filloi në vitin 2018. Në fund të atij viti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi procedurën me objekt “Rikualifikim i Parkut Industrial Kuçovë”, me kohëzgjatje brenda 12 muajve nga data e fillimit të punimeve. Fondi limit i tenderit ishte 180 milionë lekë, por duke i shtuar edhe TVSH-në, projektimin dhe mbikëqyrjen, fondi shkoi në mbi 2 milionë euro. Parku përfundoi së ndërtuari në vitin 2022, ku kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari, ka organizuar edhe koncerte në atë territor. Por, punimet e dobëta apo mos mirëmbajtja sollën shkatërrimin e trotuareve, pistës së vrapimit me tartar apo edhe të koshave të plehrave.

Më shumë ↓