20:45 | 28/5/2024

Dublime masive të numrave të amzës në gjimnaz. ‘Viktimë’ edhe drejtoresha e ZVA-së – Fiks Fare

Fiks Fare denoncoi një skandal në Mallakastër, ku numrat e amzës të ish-nxënësve të gjimnazit “Dervish Hekali”, janë dubluar masivisht, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se diplomat janë marrë me para. Madje, “viktimë” e këtij falsifikimi masiv ka rënë edhe drejtoresha e Zyrës së Arsimit Parauniversitar Mallakastër, Etilda Disha. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua zonja Tatjana Beqiraj, e cila aktualisht jeton në Gjermani. “Kam qenë në atë gjimnaz në vitet 1991-1995. Pas shkollës së mesme bëra edhe shkollën e lartë dhe u diplomova. Prej disa vitesh jetoj në Gjermani, ku këtë shkollë doja ta konvertoja në atë shtet” pohon Tatjana. Ajo ka shkuar disa javë më parë në gjimnazin “Dervish Hekali” për të marrë një vërtetim, por sekretarja dhe drejtori i shkollës i thanë se me numrin e amzës së saj del dikush tjetër. Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në ZVA Mallakastër, ku i vetmi në punë ishte një punonjës. Ai pranoi se në atë shkollë ka shumë probleme, por ZVA-ja vetëm sa përcjell problemet dhe nuk i zgjidh dot. Punonjësi bisedon edhe me drejtoreshën, e cila i thotë se do e përcjellë në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Fier këtë problematikë. Por, deri më sot, informacionet janë shkëmbyer vetëm mes gjimnazit dhe ZVA-së, duke minimizuar këtë skandal, ku “viktimë” është edhe vetë Etilda Disha, drejtoresha e kësaj zyre. Fiksi tentoi që të bisedojë me drejtoreshën, por ajo nuk ishte në zyrë dhe i tha punonjësit se “kam marrë një vërtetim”. Gazetarët i bënë disa pyetje ZVA-së, por deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk morën asnjë përgjigje.

Më shumë ↓