Zbardhet mbledhja me dyer të mbyllura e grupit të Rithemelimit, opozita kërkon “qeveri teknike” si kusht për të votuar komisionin “Xhafaj”

Grupi parlamentar i Rithemelimit nuk arriti të dalë dje (e mërkurë) me një qëndrim të unifikuar sa i përket pikës së rendit të ditës për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar “Xhafaj” që është parashikuar për seancën e të enjtes.

Kjo për shkak se deputetët ndajnë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si do të sillet opozita kur të vijë momenti i ngritjes së komisionit, ndërkohë që nuk mori pjesë në votimin e draft rezolutës për qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit.

Burimet i thanë në mbrëmje Top Channel se kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi u shpreh se pakica nuk mund të ketë një qëndrim përfundimtar për aq kohë sa nuk ka një projektvendim për ngritjen e komisionit, ku do të përcaktohet edhe objekti i punës së tij.

Dhurata Çupi është shprehur në mënyrë kategorike kundër bojkotimit të këtij komisioni, qëndrim të cilin ajo e kishte konfirmuar edhe për gazetarët pak minuta përpara se të zhvillohej mbledhja.

Nga ana tjetër nënkryetari demokrat i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka hedhur idenë që opozita të mos e refuzojë Komisionin, por të dalë me një kundërpropozim në mbledhjen e së enjtes.

Idenë e Gjekmarkajt e ka mbështetur fillimisht Luan Baçi që ka thënë se opozita duhet ta kushtëzojë pjesëmarrjen në komision me formimin e një qeverie teknike. Të të njëjtit mendim kaën qenë edhe Flamur Noka dhe Edi Paloka.

Në kushtet e këtij konfuzioni që ekziston në radhët e opozitës, maxhoranca ka dhënë sot sinjale se mund ta heqë nga rendi i ditës votimin e pikës për ngritjen e komisionit “Xhafaj”, me qëllim për t’i dhënë më shumë kohë pakicës të dale me një qëndrim.

Top Channel