"PD nuk mund të jetë pjesë e kësaj farse"/ Basha, kusht mazhorancës për Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion: Votoni amendamendet tona!

Demokrati Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat para nisjes së seancën plenare, ku do të diskutohet Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion, e cilësoi një farsë propozimin e mazhorancës për këtë Komision.

“Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ekziston, sepse ekziston korrupsioni në qeveri”, u shpreh Basha. Ndonëse këtë komision e cilësoi një manovër elektorale të kryeministrit Rama, demokrati i vuri kusht mazhorancës të votojë amendamentet e propozuara prej btij dhe më pas të votohet Komisioni Antikorrupsion.

“Nëse duan të mbështesin SPAK, kanë gati amendamentin e  PD. Shqiptarët meritojnë përgjigje pse Rama, kjo qeveri, ky parlament, mban të bllokuar propozimet e PD për të bllokuar SPAK. Kjo mazhorancë, ndryshe nga sa thotë, s’ka interes të mbështetur institucionalisht, financiarisht, strukturën e posaçme, po bën gjithçka për ta dobësuar, për ta intimiduar. Nuk ka arsye për SPAK të ekzistojë nëse nuk do të ishte korrupsioni i Ramës. SPAK ka lindur si nevojë e korrupsionit të kësaj qeverie. Ne kemi bërë propozim konkret, votoni amendamendet tona dhe jemi gati të votojmë për të fuqizuar luftën për korrupsionin.

E njëjta gjë për reformën zgjedhore, jemi 10 muaj para zgjedhjeve. Kanë tre muaj që kanë ndërprerë punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Është e qartë që thelbi në luftën kundër korrupsionit, që është vota e qytetarëve, nuk e duan. Edhe imuniteti i deputetëve. I vetmi hall i tyre ishte amnistia penale, ku nxorën të dënuarit për korrupsion. 10 muaj para zgjedhjeve, PS dhe Rama që bashkuan votat për të liruar të dënuarit për korrupsion, nuk kanë asnjë vullnet për të luftuar korrupsion. PD nuk mund të jetë pjesë e kësaj farse. Aty i kanë amendamentet për kodin zgjedhor, për të ofruar zgjedhje të lira, aty e kanë amendamendin për heqjen e imunitetit.

Ata rrinë duke bërë shfaqje të shtrenjta, duke i marrë miliona euro shqiptarëve, për të bërë qejf. Shqiptarët meritojnë lirinë e votës, barazinë para ligjit, PD e ka propozuar këtë”.

Top Channel