Bliheshin nga grupet kriminale, nën hetim dy personat që shisnin formularë të kartave SIM me të dhëna të falsifikuara

Dy persona janë vënë nën hetim pasi shisnin karta SIM me të dhëna të falsifikuara që përdoreshin nga grupet kriminale.

Sipas policisë, janë sekuestruar 79 formularë të kartave SIM, ndërsa nën hetim janë vënë E. J., 20 vjeçe dhe F. Sh., 34 vjeç, banues në Shkodër.

Kartat përdoreshin nga persona me precedent kriminal për të komunikuar për veprimtari kriminale në fushën e prodhimit të minave me telekomandë, për kultivimin e bimëve narkotike dhe për veprimtari të tjera kriminale.

“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të kryejnë këto veprimtari, kanë goditur në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, një rast të shitjes së kartave SIM, në mënyrë të kundërligjshme, që dyshohet se përdoren për qëllime kriminale.

Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: E. J., 20 vjeçe dhe F. Sh., 34 vjeç, banues në Shkodër.

Këta 2 shtetas iu kanë shitur pa autorizim, shtetasve të ndryshëm, karta SIM, të cilat dyshohet se janë përdorur më pas nga shtetas me precedent kriminal, për të komunikuar për veprimtari kriminale në fushën e prodhimit të minave me telekomandë, për kultivimin e bimëve narkotike dhe për veprimtari të tjera kriminale”, sipas njoftimit të policisë.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të këtij rasti, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Shitja e paautorizuar e kartave SIM” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Top Channel